Vitin e ardhshëm mund të ketë mungesë të thekuar shiringash, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Rreth 2 miliardë shiringa do të jetë deficiti si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe 7,2 miliardë doza vaksine që janë bërë deri tani në të gjithë botën. Kjo shifër, sipas AFP, është dyfishi i vaksinave që administrohen në një vit normal.
Nëse prodhimi i shiringave nuk merr hov, lufta ndaj sëmundjeve të ndryshme do të ketë një armë shumë të rëndësishme më pak, thekson OBSH.
“Duam të ngremë shqetësimin e mungesës së mundshme të shiringave vitin e ardhshëm, gjë që do të çonte në probleme të mëdha. Në varësi se si do të shkojë procesi i vaksinimit, vitin tjetër mund të na mungojnë 1-2 miliardë shiringa”, tha për AFP Lisa Hedman, këshilltare e OBSH-së.