Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. Arben Gjata kanë nënshkruar Memorandumin e ri të Bashkëpunimit midis Universitetit të Mjekësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ministrja Manastirliu deklaroi se ky Memorandum, i hap rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë për edukimin e profesionistëve të sistemit shëndetësor, siguron rritjen e kapaciteteve, ofrimin e praktikave klinike e profesionale për profesionistët e shëndetësisë dhe mbi të gjitha, shtimin e kuotave të reja të pranimit në Mjekësi, duke filluar nga viti i ardhshëm.
“Do të jenë 150 kuota pranimi mbi ato aktualet, që e çojnë numrin e përgjithshëm të studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në 450 studentë/vit. Kjo është pjesë e planit tonë disavjeçar për të patur më shumë mjekë të përgjithshëm”, nënvizoi Manastirliu.
Teksa e ka konsideruar një sfidë rritjen e kuotave në Mjekësi, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se edhe spitalet të tjera rajonale apo spitali Memorial Fier, ku është investuar së fundmi, do të vendosen në funksion të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve të Mjekësisë.
“Nuk është një sfidë e lehtë për të realizuar standardet me universitetet e tjera, në qytete të tjera, sikurse është Universiteti i Durrësit apo Universiteti i Elbasanit, por ngarkesën më të madhe do ta ketë sërish Universiteti i Mjekësisë së Tiranës. Ndërkohë që do të kemi mundësi që në sajë të investimeve që kemi bërë në gjithë këto vite, spitalet rajonale duke filluar nga spitali Rajonal i Elbasanit, spitali Rajonal i Durrësit, i Shkodrës dhe mbi të gjitha Spitali Memorial, i cili është një spital që ofron shërbime terciare për qytetarët e rajonit të jugut, do të kenë mundësi që të vënë hapësirat edhe burimet e tyre njerëzore në funksion të rritjes të kapaciteteve, të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve të mjekësisë“, tha Manastirliu.
Duke vlerësuar angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e kapaciteteve të profesionistëve të shëndetësisë, prof. Arben Gjata, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, i ka konsideruar spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Spitalin Memorial të gatshme për pritur specializantët e Mjekësisë.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies, tashmë ka përfunduar projekti i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Mjekësisë për të ngritur një qendër të bio-simulimit klinik, e cila do të ndërtohet në ambientet ku sot është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, pasi të përfundojë përmbyllja e ndërtimit të spitalit të ri.
Lidhur me ndërkombëtarizimin e universitetit të Mjekësisë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se po ecën me ritme shumë të mira bashkëpunimi me Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin e Mjekësisë në Budapest, në kuadër të zhvillimit të doktoraturave të përbashkëta.
Marrëveshja mes MSHMS dhe UMT vjen në një moment kur ka kërkesë të lartë për degën e Mjekësisë, në një kohë që edhe kapacitetet në QSUT dhe në disa spitale rajonale janë forcuar dhe po zgjerohen, në shërbim të praktikës klinike për studentët, për t’i dhënë mundësinë më shumë studentëve të ndjekin Mjekësinë, duke rritur numrin e mjekëve për të mbuluar shërbimin shëndetësor publik dhe jo publik.
Mjekësia do të ketë 450 kuota/vit, ndërsa do të vijojë pa ndërprerje hapja e specializimeve në mjekësi. 1200 mjekë dhe 3800 infermierë janë punësuar në katër vitet e fundit nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë. Në vitet e fundit është dyfishuar numri i mjekëve për 1000 banorë.