Komunitetet në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos, ku 31 persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, nuk pranojnë vizitat e planifikuara të presidentit Donald Trump në qytetet e tyre. Ndërsa banorët mbajnë zi, disa politikanë të këtyre zonave pohojnë se kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk është i mirëpritur.
“Mos lejoni që ai të vijë këtu. Kjo është ajo që kam dëgjuar gjithë ditën. Fjalët që ai përdori për të përshkruar hispanikët dhe emigrantët, nxitën urrejtjen dhe fanatizmin si dhe frymëzuan një pjesë të dhunës”, tha Veronica Escobar, kongresmene e Teksasit.
Edhe ligjvënës të tjerë të Shteteve të Bashkuara mendojnë se Trump nuk ka vend në këto dy qytete pasi e akuzojnë si nxitësin kryesor të dhunës ndaj emigrantëve. Amerikanët nuk e kanë të lehtë të harrojnë atë që ndodhi, pavarësisht se presidenti dënoi gjuhën e urrejtjes dhe supremacistët e bardhë. As kërkesa e tij për të rishikuar ligjin për posedimin e armëve nuk qetësoi polemikat që e rrethuan kreun e Shtëpisë së Bardhë pas sulmeve të fundjavës së kaluar. Për të nderuar viktimat, lule, mesazhe dhe qirinj, janë vendosur në vendet ky u kryen sulmet me armë.
Ndërkaq disa prej të plagosurve vijojnë të marrin trajtimet e nevojshme në spitalet e dy qyteteve.