Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dalë me një njoftim zyrtar për vizitën në vendin tonë të zyrtares së lartë të DASH, Karen Donfried dhe të deleguarit të SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Në takimet që patën me Kryeministrin Rama, ministra dhe deputetët e PD Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku e Gazment Bardhi, ambasada amerikane njofton se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera në njoftim theksohet edhe rëndësia e një opozite të fortë në Shqipëri.
“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 Prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës.
Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
As part of a visit to the Western Balkans, Assistant Secretary of State @StateEUR Karen Donfried & Special Envoy for the Western Balkans Gabriel Escobar were in Tirana April 28-29. They met with PM Edi Rama, various ministers & opposition leaders. More 👉 https://t.co/EiOO2cXXIO pic.twitter.com/M9SaeWcul2
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) April 29, 2022