Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në kuadër të detyrës së tij si kryetar i OSBE-së, do të ketë një takim me rëndësi gjatë vizitës në Moskë me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov.
Agjencia ruse e lajmeve (TASS), informoi se tashmë agjenda është përcaktuar dhe se më 26 shkurt në kryeqytetin rus, kreu i shteti shqiptar do të zhvillojë një takim me një nga figurat më të rëndësishme të Rusisë, aktor kryesor në politikën e jashtme.
Lavrov konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të presidentit Vladimir Putin dhe një nga figurat që dallohet për qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, këtë vizitë Rama do ta kryej si kryetar i OSBE-së, ndërsa në fokus të bisedimeve do të jetë kriza Rusi-Ukrainë. Në fjalimin e tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Rama e listoi Ukrainën si një prej prioriteteve të presidencës shqiptare të OSBE.
Kryeministri i fundit shqiptar që zhvilloi një vizitë zyrtare në Moskë duke u takuar me kryeministrin e kohës Viktor Çernomerdin, ishte Aleksandër Meksi, rreth një çerek shekulli më parë.
Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi aktualisht janë të ftohta dhe së fundmi ka pasur edhe akuza nga deputetë të shumicës për rrezikun e ndërhyrjes së Rusisë në politikën shqiptare. Akuza të tilla janë hedhur poshtë nga ambasada ruse në Tiranë.
Në mars të vitit 2018 Shqipëria iu bashkua vendeve europiane duke dëbuar dy diplomatë rus nga Tirana një veprim i koordinuar edhe me NATO-n.
Edhe Rusia më pas dëboi dy diplomatë shqiptarë nga ambasada jonë në Moskë.