Kosova Vjosa Osmani shkarkon kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka

Vjosa Osmani shkarkon kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka firmosur sot vendimin për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka duke argumentuar se ka thyer “integritetin dhe besimin e qytetarëve”.

Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se “në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”, thuhet në njoftim.

Vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës si drejtuese e KQZ vjen në një kohë kur gjatë këtij viti Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale.

Pas shkarkimit të znj. Daka, Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i ri i KQZ, Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA.