Kosova Takimi Kurti-Vuçiç, qeveria e Kosovës zbulon agjendën e tryezës në Bruksel

Takimi Kurti-Vuçiç, qeveria e Kosovës zbulon agjendën e tryezës në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zv. kryeministri Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel për takimin e paralajmëruar për ditën e nesërme me Aleksandër Vuçiç.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës shprehet se “takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm”.

Në këtë takim pritet që Kurti të “paraqesë vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës” për dialogun duke theksuar se “duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari”.

“Nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shteruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuar nga ai”, thuhet në një reagim të qeverisë së Kosovës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, njoftohet agjenda për takimin. Fillimisht Kurti dhe Vuçiç do të zhvillojnë takime të ndara me zv. Presidentin e KE, Joseph Borrell.

Në orën 10:30, Borrell do të ketë takime bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ndërsa tryeza e përbashkët është planifikuar për orën 11:00.

Ndërsa në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë–Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.