Me katër vota pro dhe dy kundër, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar mbajtjen e seancës për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, nesër në orën 11.
Seanca do të mbahet në sallën kryesore të Kuvendit, pavarësisht se mund të ketë shkelje të rekomandimit për ruajtje të distancës fizike nga COVID-19.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, konfirmoi se vota e saj, dhe e nënkryetares Arbërie Nagavci, ishte kundër seancës dhe se do jetë edhe kundër mocionit.
Nënkryetarja e LDK-së, Osmani, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të votojnë kundër rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
“E mbështes deklaratën e ambasadave të QUINT-it për unitet dhe ruajtje të integritetit dhe funksionalitetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk e përkrahi këtë mocion dhe i bëj thirrje të gjithë deputetëve të mos e përkrahin atë”, ka kryetarja Osmani.
E para e Kuvendit theksoi se në rast se rrëzohet Qeveria, ajo duhet të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja, duke kundërshtuar çfarëdo qeverie teknike, pasi, sipas saj, do të ishte qeveri pa legjitimitet.
Ndërsa thirrjen e mbrëmshme të presidentit Hashim Thaçi për mosrespektim të vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes, që tek në mëngjes u plotësua me thirrjen për të mos dalë nga shtëpitë, kryeparlamentarja Osmani e vlerësoi si të paprecedentë dhe të rrezikshme.