Kështjella e qytetit Bran në Rumani, e njohur në të gjithë botën si kështjella e Drakulës, është shndërruar në një qendër vaksinimi anti-Covid për turistët.
Mediat rumune raportojnë se pika e famshme turistike, që vizitohet çdo vit nga qindra mijëra vetë, do të mund t’iu ofrojë atyre edhe mundësinë e marrjes së vaksinës kundër koronavirusit. Një nismë që shumë vende kanë nisur ta promovojnë, me synimin për të rritur numrin e turistëve këtë verë, pas një viti të vështirë që shkaktoi jo vetëm një krizë shëndetësore, por edhe ekonomike.
Në kështjellën të bërë të famshme nga romani i shkrimtarit Bram Stoker, i cili hodhi në letër mitet dhe legjendat rreth sunduesit të Transilvanisë, Vlad Tepes, mund të përfitosh – përveç vaksinës – edhe një tur në dhomën e torturave mesjetare.
Skema ka nisur të zbatohet që prej kësaj fundjave, ndërsa vaksina e zgjedhur është ajo Pfizer. Vaksinat mund të merren vetëm gjatë fundjavës për një periudhë 1-mujore, por nëse do të ketë sukses, sipas mediave vendase, afati do të shtyhet me 3 muaj.