Në mbledhjen e 10 shkurtit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë-vetëm dymbëdhjetë ditë larg skadimit të afatit ligjor, vlerësimi profesional i gjyqtarëve u kthye në një temë debati mbi pasojat që ky proces i vonuar prej vitesh rrezikon të shkaktojë mbi institucionet e reja të drejtësisë në vend.
Petrit Çomo, anëtar i KLD-së përcolli shqetësimin e gjyqtarëve për mungesën e vlerësimit të dytë profesional, çka skualifikon një numër të konsiderueshëm prej tyre nga kandidimi për institucionet që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi.
“…Disa gjyqtarë na kanë shprehur shqetësimin që pse nuk janë bërë vlerësimet për… nuk kanë kaluar në Këshill vlerësimet për vitet 2007-2009… Duke e ditur që Inspektorati është me mangësi, mendoj që duhet ta fusim dhe të marrim një vendim që 2009-a duhet të mbarojë, se e ka ligji dhe është i detyrueshëm,” propozoi Çomo.
Neni 171 i ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” i jepte KLD-së tre muaj kohë për përmbylljen e raundit të dytë të vlerësimeve për vitet 2007-2009; afat i cili ka skaduar më 22 shkurt.
Megjithatë, rreth 40 gjyqtarë rrezikojnë të penalizohen pasi nuk kanë marrë ende një vlerësim të dytë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Kryeinspektorja e KLD-së, Marsida Xhaferrllari raportoi në mbledhjen e 10 shkurtit se nga 316 gjyqtarë gjithsej, ka përfunduar vlerësimi profesional për 246 prej tyre. Sipas kryeinspektores, 30 akte pritet të shqyrtohen nga KLD (12 prej të cilave u miratuan në 10 shkurt), ndërsa pjesa e mbetur ndodhet në faza të ndryshme vendimarrjeje.
I përcaktuar si detyrim ligjor prej vitit 2008, procesi i vlerësimit profesional të gjyqtarëve është shoqëruar vazhdimisht me bllokime dhe zvarritje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ekspertë të kontaktuar nga BIRN kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi eficensën e deritanishme të këtij procesi në funksion të promovimeve të gjyqtarëve brenda sistemit të drejtësisë.
Sipas ligjit të vitit 2008 për “organizimin e pushtetit gjyqësor”, çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do të duhej t’i nënshtrohej vlerësimit profesional të paktën një herë në tre vjet.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tregojnë se ky detyrim ligjor nuk është respektuar, duke i vendosur gjyqtarët në kushte pabarazie dhe duke rritur subjektivizmin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në marrjen e vendimeve.
Dominim vlerësimesh “shumë mirë”
Përgjatë 9 viteve, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar vetëm raundin e parë të vlerësimit për 279 gjyqtarë për vitet e punës 2005-2006 dhe është në përmbyllje të raundit të dytë për vitet 2007-2009. Arsyet e vonesave, sipas Inspektoriatit të KLD-së lidhen me faktin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka vepruar në kohën e duhur, duke e bllokuar procesin përgjatë viteve 2007-2012.
“Duke marrë në konsideratë që procesi i vlerësimit profesional dhe etik filloi të zbatohet në fund të vitit 2012, aktualisht mund të thuhet se ka ecur me ritme të shpejta. Për një periudhë 3 vjeçare.. është arritur të përfundohet një raund i plotë vlerësimi, të jetë drejt finalizimit raundi i dytë dhe të ketë filluar raundi i tretë i vlerësimit,” u përgjigj Inspektoriati i KLD.
Analiza e të dhënave të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Inspektoriatin e KLD-së tregon se shumica e gjyqtarëve shqiptarë janë vlerësuar me notën “shumë mirë” për të dyja raundet. Një numër më i vogël gjyqtarësh kanë marrë notën “mirë” dhe asnjë prej tyre nuk është vlerësuar si “i paaftë” nga inspektorët e KLD-së.
Për raundin e parë të vlerësimit, 225 gjyqtarë u vlerësuan “shumë mirë”, 51 gjyqtarë u vlerësuan “mirë” dhe 3 gjyqtarë u vlerësuan “pranueshëm”. Ndërsa në raundin e dytë, që është ende në proces, 224 gjyqtarë u vlerësuan “shumë mirë”, 33 gjyqtarë u vlerësuan “mirë” dhe 5 gjyqtarë “pranueshëm”.
Vlerësimi “i paaftë” përbën shkak ligjor për nisjen e procesit të shkarkimit, por gjatë gjithë historikut të vet, ky sistem nuk i kushtuar karrierën asnjë gjyqtari në Shqipëri.
Vlerësimi i gjyqtarëve për punën e kryer shumë vite më përpara është është cilësuar si një mangësi serioze e këtij procesi, sipas një analize të bërë nga ekspertë të Këshillit të Europës. Ndërsa për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, sistemi i ndjekur deri tani nuk garanton një dallim mes gjyqtarëve mesatarë dhe të tjerëve.
I kontaktuar nga BIRN, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi se reforma në drejtësi ka adresuar defektet e deritanishme të vlerësimit profesional, duke parashikuar pesë nota të dallueshme nga njëra-tjetra për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.
Ndryshe nga sistemi i deritanishëm, ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton notën “mirë” për një gjyqtar me performancë mesatare. Një gjyqtar me performancë të dukshme mbi mesataren, sipas ligjit të ri do të vlerësohet “shumë mirë” dhe vetëm performanca e jashtëzakonshme në dhënien e drejtësisë do të përfitojë vlerësimin “shkëlqyeshëm”.
“Një nga sfidat më të mëdha në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve është guximi institucional për të bërë ndryshimin dhe për të dalluar gjyqtarët me performancë mesatare nga të tjerët. Në fakt, vetëm një skemë vlerësimi që “bën dallime” mund të cilësohet e ndershme,”deklaroi delegacioni i BE-së për BIRN.
“Aty ku të gjithë gjyqtarët, pavarësisht nga performanca e tyre përziehen pa dallim, gjyqtarët që janë më të motivuar dhe të aftë nuk marrin stimulin e duhur për të vazhduar rritjen e kapaciteteve dhe të performancës së tyre. Në të kundërt, ata ndëshkohen, pasi konsiderohen në të njëjtin nivel me gjyqtarët mesatarë dhe duhet të konkurrojnë me ta, dhe në fund e humbin garën,” shton delegacioni i BE.
Promovimi i gjyqtarëve
I konceptuar në ligjin e vitit 2008 si një sistem që do të vinte vulën mbi promovimin e gjyqtarëve mbi bazën e meritokracisë, në realitet vlerësimi profesional pati pak ndikim në këtë drejtim.
Ngritjet në detyrë të gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë bërë shpesh objekt i diskutimeve dhe i debateve për shkak të flukseve të ndryshme të ndikimit, që nuk lidheshin me meritën e gjyqtarëve të promovuar.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i tha BIRN se promovimet e gjyqtarëve nuk janë shoqëruar me transparencën e nevojshme dhe shpeshherë nuk kanë qenë të bazuara në meritë. Delegacioni shtoi gjithashtu se sistemi funksional dhe në kohë i vlerësimeve profesionale është parakusht i promovimit të gjyqtarëve dhe prokurororëve, bazuar në meritën e tyre.
“Progres-raporti i Bashkimit Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se promovimet e gjyqtarëve nuk janë të bazuara në mënyrë të mjaftueshme në meritë dhe u mungon transparenca. Delegacioni i BE është i vetëdijshëm se rastet ku kritere të ndryshme nga merita kanë qenë arsyeja e promovimit dhe ato janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme nga media,” tha delegacioni i BE për BIRN.
Juristë të njohur në vend bien dakord me konstatimin e delegacionit të Bashkimit Europian për promovimet, ndonëse japin argumente të ndryshme mbi diskrecionin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Elvis Çefa, i cili ka drejtuar si zëvendëskryetar Këshillin e Lartë të Drejtësisë i tha BIRN se nivelet e ndryshme të vlerësimit për gjyqtarët që kërkonin të promovoheshin rritën subjektivizmin e vendimeve të KLD-së për promovimet.
Megjithatë, Çefa pranon se lobimi ka qenë një praktikë mjaft e përdorur për promovimet, çka sipas tij është krejtësisht e ligjshme dhe normale për një organ kolegjial.
“A ka pasur ndikime apo njerëz që kanë mbështetur persona të caktuar? Kjo sigurisht që është një element krejtësisht normal për një institucion kolegjial dhe është krejt e natyrshme dhe njihet edhe nga doktrina ligjore lobimi dhe institucioni i lobimit në këtë rast… për zgjedhjen si anëtarë KLD, si kryetarë gjykatash apo për promovimin dhe transferimit sigurisht që kanë lobuar dhe kjo është krejtësisht e ligjshme dhe normale,” tha Çefa për BIRN.
“Në këtë kontekst, absolutisht nuk përjashtoj rastet kur lobimet e gjyqtarëve kanë krijuar një shumicë të anëtarëve që kanë bërë të mundur votimin apo promovimin e elementëve të caktuar në një detyrë të caktuar,” shtoi ai.
Ndryshe nga Çefa, juristi Sokol Hazizaj i tha BIRN se meritokracia është neglizhuar vazhdimisht në KLD për arsye nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato politike. Ai pohoi se nuk njeh ndonjë rast të së shkuarës që një gjyqtar të jetë ngritur në detyrë pa pasur mundësi sociale për t’u njohur me anëtarët e KLD-së.
“…Siç ka qenë i organizuar pushteti gjyqësor dhe ai i hetimit, kaq afër me njëri tjetrin politika dhe gjyqësori, në jo pak raste është neglizhuar meritokracia, ose ndryshe aftësia e individëve që punojnë në sistemin e hetimit dhe pushtetit gjyqësor,” tha Hazizaj.
“Nuk di ndonjë rast që të jesh ngritur në karrierë për shkak të aftësive. Di mjaft raste që janë ngritur në karrierë për shkak të njohjeve,” përfundoi ai.