Sport Vllaznia del në shitje, ankandi nis nga 508 milionë lekë

Vllaznia del në shitje, ankandi nis nga 508 milionë lekë

Vllaznia mund të privatizohet shumë shpejt. Bashkia e Shkodrës ka nxjerrë zyrtarisht në shitje klubin dhe të gjithë të interesuarit do të futen në ankandin për të blerë 100% të aksioneve që nis nga shuma prej 508 milionë lekë të vjetër.

Bashkia e Shkodrës ka hapur rrugën e shitjes së Vllaznisë, që vitet e fundit ka vuajtur shumë nga mënyra e administrimit të saj dhe kjo situatë është reflektuar edhe në rezultate. Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, ka dhënë disa detaje në lidhje ankandin e shitjes së klubit, që pritet të nisë nga çmimi dysheme i 508 milionë lekëve.

“Kemi marrë nga MARS-ja një letër, ku u kërkohet institucioneve që administrojnë klube futbolli të kryejnë procesin e shitjes. Ka një ndryshim mes privatizimit dhe shitjes. Ne kemi qenë gati, bilancet janë gati, kemi relacionin dhe projekt-vendimin për shitjen e klubit Vllaznia 100%, sikurse ligji e thotë. Kemi pasur diskutime, por me daljen e ligjit është detyrim. Do të ketë një ankand të hapur dhe do donim të merrnin pjesë jo vetëm ata që janë të interesuar sot, por edhe ata që kanë investuar në të shkuarën. Kjo është e rëndësishme, pasi u duhet dhënë mundësia të gjithëve të konkurrojnë. Do kemi një procedurë transparente. 60 milionë lekë të reja është çmimi fillestar, por vlera e saktë gjendet në raport. Kuptohet që kjo është vlera më e ulët, pastaj gjithë të tjerët mund të shprehin interesin e tyre. Procedura jep mundësinë të marrin pjesë një ose disa subjekte që duhet të bëhen bashkë përmes një kontrate”, – ka sqaruar Ademi.

Vllaznia është nga ato klube në vendin tonë që janë 100% pronë e bashkisë së qytetit.

Aktualisht te Vllaznia po investon Alban Xhaferi, biznesmen i njohur shkodran, që ka në pronësi edhe klubin e basketbollit dhe mbetet për t’u parë nëse do ndërhyjë për të blerë klubin e Vllaznisë, që në fakt ka edhe borxhe të konsiderueshme për të shlyer. Nga bashkia mësohet se për Vllazninë ka patur interes edhe nga investitorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Mbetet për t’u parë se cili do të ofrojë më shumë për aksionet e kuqebluve.