Sport Vllaznia hakmerret ndaj Kukësit dhe ruan distancat në krye të renditjes

Vllaznia hakmerret ndaj Kukësit dhe ruan distancat në krye të renditjes

Vllaznia hedh një hap të madh përpara në luftën për titullin kampion. Shkodranët mundën 1-0 Kukësin në transfertë, duke u shkëputur 9 pikë nga vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Teuta, e cila sot fitoi 2-0 ndaj Bylisit.

Ndeshja

Vllaznia shfaqet dominuese në lojë që në fillim të takimit, por rastin e parë të artë e pati Kukësi me Leiran, goditjen e të cilit më kokë e priti mbi vijën fatale Zogovic. Në fundit e pjesës së parë për pak bën mrekullinë nga distanca Fjoart Jonuzi i Kukësit. Tentativa e tij shkoi ngjitur me shtyllën, aty ku kryqësohet me traversën.

Vllaznia, falë presionit të vazhdueshëm, e zhbllokoi takimin në minutën e 58-të me Arlind Kalajën, që shtyu nga një distancë e afërt topin që nuk mundi ta kontrollonte Tafa pas goditjes së Markut nga jashtë zonës. Festë e çmendur e kuqebluve, me të gjithë pjesëtarët e stolit që pushtojnë fushën prej entuziazmit.

10 minuta më vonë Vllaznia iu afrua golit të dytë me Demir Ymerin, goditja fluturimthi e të cilit përfundoi ngjitur me shtyllën. Me fat ekipin shkodran në të 70-tën, teksa në zhvillimet e një këndoreje Hetemaj goditi shtyllën.

Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Vllaznia që merr hak ndaj Kukësit për humbjen e fazës së parë, por ç’është më e rëndësishmja ruan distancën prej 9 pikësh me ndjekësen më të afërt, Teutën.