Dy ditë pasi dy të rinj mbetën të plagosur pasi u goditën nga një gomone në Jalë, një tjetër ngjarje e ngjashme ndodhi pasditen e kësaj të hëne në Vlorë.
Një fëmijë 7 vjeç u godit po nga një gomone, teksa po notonte në afërsi të bregut, në plazhin e Jonufrës. Burime zyrtare të policisë thonë se i mituri mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital, fatmirësisht pa rrezik për jetën, ndërsa drejtuesi i gomones u shoqërua nga policia.
“Sot, rreth orës 17:40, në plazhin e Jonufrës, shtetasi H. K., rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, ka dëmtuar një 7-vjeçar, i cili ka qenë duke notuar në afërsi të bregut. Aktualisht fëmija ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia në njoftimin e saj për mediat.
Mesditën e së shtunës, një djalë dhe një vajzë mbetën të plagosur teksa pushonin në bregdetin e Jalës, pasi u përplasën me gomone nga një 37-vjeçar. Gjergj Priftuli, i cili u arrestua nga policia, humbi kontrollin e mjetit teksa po lundronte me shpejtësi të madhe në mes të pushuesve.
Lëvizja e mjeteve motorike ujore bëhet në një distancë 2 milje nga bregu, por jo gjithmonë respektohet nga drejtuesit e këtyre mjeteve. Kjo ekspozon pushuesit ndaj këtij rreziku. Mjetet motorike lundruese janë konsideruar prej vitesh si shqetësim për sigurinë e pushuesve ndaj policia ka ndërhyrë disa herë me aksione.