Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor Erjon Kasmin për mashtrim kompjuterik dhe grup të strukturuar kriminal duke e dënuar me 11 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i konvertohet dënimi në 7 vite e 4 muaj burg.
Fajtor u shpall edhe Xhulian Xhafa për të njëjtat akuza duke u dënuar me 10 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
SPAK kërkoi 17 vite e 6 muaj burg për Kasmin dhe Xhafën.
Sa i përket pjesës tjetër të të akuzuarve nga SPAK, 11 punonjës në “call center” e për të cilët kërkohej 2 deri në 3 vite shërbim prove, gjykata i shpalli të gjithë të pafajshëm.
Prokuroria e Posaçme akuzonte një grup prej disa personash se nëpërmjet premtimeve për fitime të majme përvetësuan 7 milionë nga qytetarë të ndryshëm europianë. Nëpërmjet “call center”-it “Blu Energy Call”, që e ushtronte aktivitetin në Tiranë nga viti 2018, ata kanë mashtruar me qindra qytetarë gjermanë dhe të vendeve të tjera të BE.
Organizatori i grupit rezulton Erion Kasmi, administrator i “call center”-it.
Punonjësit përdorin dy platformat “BrokerZ” dhe “Globalix”, për të zhvilluar aktivitetin e tyre dyshohet se kanë mashtruar dhjetëra shtetas duke u marrë atyre rreth 7 milionë Euro.
Ata ftonin qytetarët e huaj të investonin në bursa ndërkombëtare. Paratë depozitoheshin sipas udhëzimeve të agjentëve të “call center” në platformat mashtruese. Rezulton nga hetimi se depozitat gjendeshin në banka të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro. Më pas ato zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Nga hetimi është provuar se një pjesë e këtyre parave përfunduan në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.
Erjon Kasmi i janë sekuestruar rreth 580 mijë euro dhe 19 milionë lekë në llogaritë e tij. Në një bankë të Kosovës atij iu sekuestrua vlera 1 milionë e 500 mijë euro.
Në total të akuzuarve iu janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme prej të cilave 9 apartamente, 3 garazhe, 1 ndërtesë, sipërfaqe 3100 m2, truall 2750 m2 dhe një ndërtesë 750 m2.
Hetimet për këtë grup kriminal nisen në Gjermani. Sipas burimeve, autoritetet atje të drejtësisë u vunë në lëvizje nga një person i cili ka bërë një kallëzim duke theksuar se është mashtruar për të investuar në bursa, por më pas parat e tij ishin zhdukur.