Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të martë dy vëllezër që akuzohen se kanë kryer disa vjedhje në Tiranë. Në një njoftim për mediat policia bën me dije se dy vëllezërit kanë vjedhur argjendarinë në pronësi të Z. S, në të cilën morën bizhuteri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra.
Pas një operacioni në pranga ka rënë A. S., 27 vjeç dhe A. S., 29 vjeç, të dy të dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja”.
“Gjatë kontrollit të banesës së këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sende me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti tip “Benz” me të cilin janë larguar, 2 aparate celular dhe një sasi valute”, thekson policia.
Ndërkohë mësohet se vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në Tiranë, në të cilat mund të jenë të implikuar këta persona.