Bota Letra “sekrete” për Pompeon: Si Thaçi i kërkoi ndihmë SHBA kundër Speciales

Letra “sekrete” për Pompeon: Si Thaçi i kërkoi ndihmë SHBA kundër Speciales

Lëvizje pa shumë zhurmë në drejtim të SHBA-së, kishte kryer ish-presidenti Hashim Thaci, në dhjetor të vitit 2019.

Më 12 dhjetor të atij viti, Thaçi ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, siç është vërtetuar në përshkrimin e kërkesës për paraburgim ndaj tij, tashmë të publikuar.

Dymbëdhjetë ditë pas marrjes në pyetje, Thaçi i kishte dërguar letër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Letra mban datën 29 nëntor 2019, por për të nuk kishte njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës.

Në letër, presidenti kërkon që Gjykata Speciale mos të jetë monoetnike, por t’i gjykojë edhe krimet serbe, ndër to rreth 400 masakra që ka kryer Serbia në Kosovë.

“Është zhgënjyes fakti që Zyra e Prokurorit Special ka dedikuar burimet e veta të shumta për ta hetuar vetëm një grup etnik, pra vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës, gjë që dëmton në themel kredibilitetin dhe legjitimitetin e procesit”,  thuhej në letrën e Thaçit.

Këtë veprim, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka cilësuar si tentativë për ta penguar punën e Speciales.

Sipas prokurorisë, më 2019, Thaçi kishte lobuar për reformimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës duke shkruar se Qeveria e Kosovës është ajo që duhet të vendosë për mandatin, veprimin dhe vendndodhjen gjeografike të tyre.

Madje, në ankesat që i janë bashkangjitur kërkesës për paraburgim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për gjyqtarin e procedurës paraprake, janë të bashkangjitura deklaratat e tij publike, ku mohonte intervistimin nga Specialja.

Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, në seancat fillestare të mbajtura tashmë, ka paralajmëruar së do të paraqesë mocione për të kundërshtuar masën e paraburgimit për katër ish-eprorët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.