Kryesore Vota e diasporës/ Shqetësime në PS për regjistrimin e paktë të grave

Vota e diasporës/ Shqetësime në PS për regjistrimin e paktë të grave

Prej 11 janarit vijon procesi për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë Shqipërisë. Nga të dhënat e publikuara në KQZ, deri më tani kanë aplikuar 8773 shqiptarë. Nga këto janë miratuar 1130 kërkesa.

Sipas gjinisë, rezulton se janë më të shumtë meshkujt ata që kanë shprehur interesin për të votuar, 72.06% krahasuar me 27.94% të femrave.

Sipas grupmoshave rezulton se fasha 26-35 vjeç ka bërë më shumë kërkesa, me 2735 të tilla. Ajo ndiqet nga fasha 36-45 vjeç me 2405 kërkesa, 46-55 vjeç me 1617 kërkesa dhe mbi 56 vjeç me 1112 kërkesa. Të fundit janë të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç me vetëm 900 kërkesa.

Ndërkohë, në selinë e Partisë Socialiste është mbajtur mëngjesin e sotëm si çdo të hënë mbledhja e drejtuesve politikë, me kryeministrin Edi Rama që nuk ka qenë i pranishëm fizikisht por i është adresuar online të pranishmëve.

As drejtuesit politik nuk kanë qenë të gjithë fizikisht të pranishëm, pasi disa ndodhen ende në Greqi, duke u ndalur në zonat që kanë më shumë shqiptarë për t’i ndihmuar që të regjistrohen në platformën e ngritur nga KQZ për votën e emigrantëve.

Në mbledhje është diskutuar se si është situata në Greqi dhe Itali ku edhe ka më shumë emigrantë dhe PS është përqendruar më së shumti, pasi në fundjavë kanë shkuar në zonat kryesore për të parë nëse ka shqiptarë përtej listës së kontakteve që selia rozë i rendit si votues të sigurt për mazhorancën.

Qëllimi i PS është për të joshur shqiptarët që janë jashtë edhe duke ofruar edhe asistencë teknike, duke ngritur në Athinë dhe rajonin e Pulias edhe zyra për të asistuar ata që nuk kanë njohuri sesi funksionon procesi i regjistrimit.

Ajo çka bie në sy është diferenca e theksuar mes meshkujve dhe femrave në këto dy ditë të para të regjistrimeve.

Numri i femrave që janë regjistruar është shumë më i ulët në raport me meshkujt dhe kjo ka shqetësuar socialistët, të cilët synojnë që t’i bindin të gjithë dhe jo vetëm kryefamiljarët për t’u regjistruar si votues.