Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e pyetur nga juristët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, sqaroi se një pjesë e mirë e rasteve dyshohet të jenë nga administrata zgjedhore.
“Në dy rastet konkrete bëhet fjalë për persona të cilët i përkasin administratës, ose komisionerë, ose operatori, pasi në mënyrë të tillë u mundësua edhe pajisja. Çdo pajisje ka pasur listën e zgjedhësve në atë qendër votimi. Supozohet që pasi të jenë identifikuar në qendrën ku kanë qenë komisionerë, janë paraqitur në qendrën ku janë të regjistruar”, tha Pelinku. Ky konstatim u quajt nga anëtarët e KAS si një vlerë e sistemit, pasi ka arritur të kapë këta persona.
Deklarata e Pelinkut shkaktoi debat mes dy anëtarëve të KAS, Ledio Braho dhe Ilir Rusmali. Ky i fundit kërkoi të dinte përkatësinë politike të personave që dyshohet se kanë kryer votim të dyfishtë, por anëtarët e tjerë të KAS e hodhën poshtë këtë pretendim.
Pritet që KAS të marrë sot vendim për dy qarqe në të cilët rezultati është ankimuar, në Gjirokastër dhe Berat. PD ka kërkuar pavlefshmëri zgjedhore në Gjirokastër, po ashtu edhe kandidati i pavarur, Kreshnik Merxhani, me pretendimin se është deformuar vullneti i zgjedhësve.
Pas Gjirokastrës do të nisë edhe shqyrtimi i Qarkut Berat, ku edhe këtu PD dhe LSI kanë kërkuar shpalljen e pavlefshëm të rezultatit. Për Beratin do të jetë procedurë më e detajuar, pasi palët kanë administruar gjetjet që dolën nga hapja e kutive të materialeve zgjedhore.
Megjithatë, çështje pritet të dërgohet në Kolegjin Zgjedhor nga ana e dy subjekteve politike, pasi me shumë gjasa KAS – sikurse është shprehur gjatë seancave të mëparshme, është kundër pretendimit se ka pasur manipulim në atë shkallë sa për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e përgjithshëm të këtyre qarqeve.