Avdullah Hoti do të jetë Kryeministri i ri i Kosovës. Me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, qeveria Hoti mori këtë të mërkurë miratimin e Kuvendit të Kosovës. Në votim morën pjesë 86 deputetë.
Në nisje të seancës, Avdullah Hoti ka prezantuar planin e tij qeverisës. Ai tha se qeveria do të ketë dy prioritete kryesore, luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Hoti u shpreh se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcimi i shtetit, avancimin i demokracisë, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga radhët e LDK për kryeministër të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti, përmes mocionit të mosbesimit.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 Tetorit e dërgoi dekretin e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese dhe më 28 Maj, gjykata i dha të drejtë Thaçit për mandatarin e qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi formimin e qeverisë së re dhe kërkoi zgjedhje të reja. Ajo ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin “Duam zgjedhje”, peticion ky i cili online ka nisur më 30 Maj.
Përbërja e kabinetit qeveritar të qeverisë Hoti
Avdullah Hoti, kryeministër
Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë
Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
Albulena Bala – Halimi, zëvendëskryeministëre
Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal
Hykmete Bajrami, ministre e Financave
Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Anton Çuni, mbetet ministër i Mbrojtjes
Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit
Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme
Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
Blerim Kuçi , ministër i Zhvillimit Ekonomik
Selim Selimi, ministër i Drejtësisë
Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Ramë Likaj, ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale
Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë
Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete
Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal