Aktualitet Vranë dhe hodhën në rezervuar 25-vjeçarin, arrestohet njëri nga autorët e dyshuar

Vranë dhe hodhën në rezervuar 25-vjeçarin, arrestohet njëri nga autorët e dyshuar

Grupi hetimor i Policisë së Korçës ka arrestuar njëri nga autorët e dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj, ngjarje e ndodhur më 13 Qershor 2021. I riu ishte vrarë dhe më pas trupi i ishte hedhur në rezervuarin e Gjançit.

I arrestuari është Kristi Bixheku 26 vjeç nga Lushnja, i cili u vu në pranga falë bashkëpunimit të Policisë Korçë me Policinë e Tiranës dhe Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit. Mësohet se Bixheku u kap në Tiranë falë shkëmbimit të informacionit mes Drejtorive të Policisë.

Viktima Fridman Xhaferraj

Ndaj 26-vjeçarit Kristi Bixheku ishte vendosur masë sigurie nga Gjykata e Korçës “arrest në burg” në mungesë. Ai akuzohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Për këtë krim akuzohet edhe një tjetër person, me iniciale L.S., i cili është i shpallur në kërkim. Ky i fundit së bashku me Kristi Bixhekun goditën në kokë me sende të forta 25-vjeçari Fridman Xhaferraj nga Lushnja duke i shkaktuar vdekjen. Më pas trupin ia hodhën në rezervuarin e Gjançit në Korçë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton që Fridman Xheferraj të jetë ekzekutuar për larje hesapesh për shkak të konflikteve të mëparshme. 25-vjeçari ishte larguar nga shtëpia në datën 22 Maj 2021, një ditë pas ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Ai, së bashku me dy autorët, udhëtuan së bashku në drejtim të Korçës dhe kanë qëndruar në një hotel për disa ditë.

Vrasja dyshohet të jetë kryer rreth dy javë para se të gjendej trupi.