Bota Vrasësi i Robert F. Kennedy mund të fitojë lirinë

Vrasësi i Robert F. Kennedy mund të fitojë lirinë

Sirhan B. Sirhan, i dënuar në vitin 1968 për vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy, mundë të përfitojë liri me kusht të premten, pasi prokurorët thanë se nuk do ta kundërshtojnë këtë vendim.

Vrasësi, sot 77 vjeç, qëndron prej 53 vitesh në burgun e San Diegos dhe të premten do të dalë para komisionit të vlerësimit të masës së sigurisë për të 16-n herë. Për herë të fundit kishte dalë në vitin 2016, ku i ishte mohuar e drejta për të dalë në liri me kusht.

Fillimisht ai ishte dënuar me vdekje, por pasi Kalifornia miratoi një ligj që shfuqizonte dënimet me vdekje, dënimi iu ul në burgim të përjetshëm, ndërsa një hapësirë ligjore i jep atij mundësi që të kërkojë lirinë.

Sirhan u arrestua në vend pas vrasjes së vëllait të presidentit amerikan, më 5 qershor 1968 në Los Anxhelos. Robert Kennedy ishte në prag të kandidimit për president i SHBA në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Vrasja e tij, bashkë me atë të Martin Luther King Jr. dy muaj më parë, krijoi një pikë kthese në historinë amerikane.

Vrasja e tij u krye 6 vite pas asaj të vëllait të tij, presidentit John F. Kennedy. Për eliminimin e tij u akuzua ish-marinsi amerikan Lee Harvey Osvald, i cili dy ditë më vonë u vra nga Jack Ruby. Ngjarjet nisën një spiral teorish konspirative që vijojnë edhe sot e kësaj dite.

Avokatët e Sirhan kanë deklaruar në atë kohë se ai mund edhe të ketë qenë nën hipnozë kur ka kryer vrasjen, duke shërbyer thjesht si vegël e një konspiracioni edhe më të madh.