Aktualitet Vaksinat, Agjencia Europiane e Barnave: Ende herët për dozën e tretë

Vaksinat, Agjencia Europiane e Barnave: Ende herët për dozën e tretë

Agjencia Europiane e Barnave thotë se është ende herët për të marrë një vendim lidhur me aplikimin e një doze përforcuese të vaksinave anti-covid.

“Në këtë fazë nuk është përcaktuar ende nëse është e nevojshme një dozë e tretë në vaksinimet kundër koronavirusit dhe për cilat fasha të popullatës”, thuhet në një njoftim zyrtar te EMA-s.

Rregullatori Europian për ilaçet, nënvizon se “Bashkimi Europian po punon me vendet anëtare dhe prodhuesit e vaksinave për të përshpejtuar procesin në rast nevoje”.

Pavarësisht këtij qëndrimi të Agjencisë Europiane të Barnave, disa vende si Franca do të nisin në shtator me aplikimin e një doze përforcuese. Kjo bëhet për të moshuarit dhe grupet që rrezikohen më shumë nga Covid-19, pasi mbrojtja u ka rënë nga varianti Delta.