19-vjeçari i vrarë një natë më parë në Shkodër, Erion Xhenja, dyshohet të jetë viktima e radhës mes rivalitetit prej vitesh mes fiseve Bajri – Lici. Ai banonte vetëm pak metra nga banesa ku u vra, disa ditë më parë, edhe Ismet Çekorja, në lagjen Kiras.
19-vjeçari merrej me kuaj dhe burime bëjnë me dije se i shërbente fermës dhe kuajve të Asmer Bilalit, një emër shumë i njohur në botën e krimit në Shkodër. Motori i përdorur në vrasje u gjet i djegur në afërsi të banesë së familjes Lici në lagjen “Guerile”, Kiras, raporton A2.
Krimi që tronditi qytetin ndodhi mbrëmjen e së dielës në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku”, rreth orës 20:10. Dëshmitarë okularë janë shprehur se viktima ishte i ulur në lokal kur në drejtim të tij kanë ardhur dy persona me motoçikletë, duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të tij.
Policia raporton se viktima gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa në vendngjarje të vetmet prova materiale ishin rreth 30 gëzhoja, që tregon për ashpërsinë e këtij sulmi me armë.