Disa orë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën mbrëmjen e së hënës, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër për vrasjen e të riut Gledis Kraja.
Mësohet se vëllezërit Sebastian Smakaj dhe Stjuart Smakaj janë personat që dyshohet se qëlluan ndaj 23-vjeçarit Kraja. Sipas informacioneve nga grupi hetimor, pas analizimit të kamerave të sigurisë në zonë, në pamje shihen dy persona që dyshohet të jenë pikërisht vëllezërit Smakaj.
Njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të Gledis Krajës që po qarkullonte me makinë. Ky i fundit mbeti i plagosur fillimisht, por për fat të keq ndërroi jetë në spital.
Mësohet se viktima dhe njëri prej vëllezërve kanë pasur miqësi me njëri-tjetrin. Megjithatë, shkaqet e ngjarjes së rëndë janë të paqarta dhe nuk dihet ende nëse mes tyre ka patur konflikt. Grupi hetimor është duke punuar për të zbardhur motivet.
Ndërkohë, forcat policore kanë ngritur pika kontrolli në zona të caktuara dhe po vijojnë kërkimet për kapjen dhe arrestimin e dy vëllezërve Smakaj.