Rreth 3 orë pasi njoftoi arrestimin e tre personave të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, Policia e Shtetit informoi se në Britaninë e Madhe është vënë në pranga edhe Harriet Bridgeman.
“Në vijim të punës kërkimore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasja britanike Harriet Bridgeman”, njoftoi policia.
Ndërkohë mësohet se po vijon puna për arrestimin e dy personave të tjerë që qëndrojnë në kërkim. Ata janë Ruben Saravia dhe Harry Simpson.
Më herët në lidhje me këtë ngjarje u vunë në pranga Edmond Haxhia që dyshohet si organizator i atentatit dhe Thomas Mithan e Steven Hunt.
Sa i përket Bridgeman ajo dyshohet se së bashku me 3 britanikët e tjerë ishte në rolin e vëzhgueses.