Extra Instagrami i Luizit shkakton debat, reagimi i çuditshëm i kunatit të tij

Instagrami i Luizit shkakton debat, reagimi i çuditshëm i kunatit të tij

Instagrami i Luiz Ejllit ka shkaktuar sërish debat, këtë herë mes familjarëve të tij dhe Kiarës.

Kiara njoftoi mbrëmë se ka hapur një Instagram në emër të Luizit; një llogari e cila do të menaxhohet nga ajo derisa Luizi të dalë nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania”. Para se Kiara të largohej nga BBV, Luizi ia ka shprehur disa herë që dëshiron që me profilin e tij në Instagram të merret ajo.

“Të dashur mbështetës të Luizit që nga dita e parë, ju njoftojmë se ky është i VETMI Instagram zyrtar i Luizit. Siç edhe mund ta keni ndjekur, Luizi ka kërkuar që Instagrami i tij të menaxhohet nga Kiara, përsa kohë ai është ende brenda në shtëpinë e Big Brother, edhe kështu do të ndodhë. Faleminderit për gjithë mbështetjen e treguar deri më tani! Me Luizin fitues!”

Nga ana tjetër, kunati i Luizit, Sokol Tahiri, nuk është dakord me vendimin e Kiarës.

“Ju lutemi fansave të vërtetë të Luizit që të MOS BËJNË FOLLOW asnjë Instagram që është hapur në emër të Luizit pavarësisht se nga kush hapen ato Instagrame! Ata që hapin Instagram në emër të Luizit nuk janë dashamirës të tij. Ju lutemi duroni edhe një javë sa të dalë Luizi që ta lëmë atë të marrë vetë vendimet për Instagramin e tij personal. Qëllimi ynë nuk është të dëmtojmë askënd, i vetmi qëllim i yni është që të mbrojmë të drejtat e Luizit në lidhje me Instagramin e tij. Ju faleminderit për mirëkuptimin e mbështetjen tuaj!”

Llogaria e re se është shpërndarë nga personazhe të njohur të cilët mbështesin Luizin në “Big Brother”, përfshirë edhe miqtë e tij të ngushtë, Jon Ndoja dhe Mario Deda. Në më pak se 24 orë, llogaria numëron mbi 250,000 ndjekës.

Llogaria e Luizit në Instagram është një tematikë shumë e diskutuar jashtë “BBV” dhe dy javë më parë, në një video ekskluzive për “Big Brother Fun Club”, Luizi thotë se do që llogarinë e tij ta menaxhojë Top Channel. Ai pyetet nëse do që ta menaxhojë motra e tij apo familja llogarinë dhe nuk pranon.

“Jo, jo, merru ti. Vazhdo merru ti. Nëse s’merreni ju (Top Channel), le të vazhdojnë të merret ajo (Jurgena, vajza që menaxhonte llogarinë e Luizit në Instagram)”. Luizi më pas thotë se dëshiron që të merret vetëm Top Channel, siç ka folur dhe siç ka nënshkruar dhe shtoi se i beson menaxhimit të personit me të cilin komunikoi në dhomën e rrëfimit.

Instagram-i i mëparshëm i Luizit, me afro 700,000 ndjekës, pësoi një sërë ndryshimesh dhe u bë pjesë e shumë teorive në rrjet. Së pari, iu ndryshua emri dhe nga Luiz Ejlli në Ina Ejlli, emri i motrës së Luizit. Më pas, Sokol Tahiri, kunati i Luizit njoftoi se llogaria dhe të drejtat në lidhje me administrimin dhe emrin e Luizit, i kanë kaluar Top Channel:

“(Se) në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo, mua nuk më është komunikuar ndonjë dokument. Megjithatë, në gjithë këtë histori, e rëndësishme është që ne të mbështesim Luizin dhe të shijojmë lojën e tij. Pastaj, kur të përfundojë loja, do të sqarohen roli dhe qëllimi i secilës palë,” tha ai ndër të tjera.