Vladimir Kola, 41-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasjen e Briken Sanajt, është arrestuar në Gjermani. Pritet që ai të ekstradohet drejt Shqipërisë për të dhënë llogari për ekzekutimin e 39-vjeçarit Sanaj, ngjarje që ka ndodhur më 3 Tetor të vitit 2022 në Kodrën e Diellit në Tiranë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi policia.
Kola dyshohet si autor i vrasjes së Sanajt. Ai dyshohet se ka vepruar i vetëm në ekzekutim, ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas të tjerë kosovarë. Konkretisht Kened Antoni i cili rezulton se ka shitur makinën Benz që u përdor në krim tek Gjelosh Krasniqi dhe më pas e kanë futur atë në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola.
Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë kur familjari i Vladimirit është plagosur rëndë nga i vëllai Briken Sanajt.