Kamerat e sigurisë u kanë dhënë hetuesve një panoramë të plotë të ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë biznesmeni Edmond Papa, në zonën e Selitës në kryeqytet. Përpos veprimeve të autorit gjatë dhe pas ngjarjes, hetuesit kanë arritur të sigurojnë të dhëna edhe për ato para saj.
Autori, i cili është kujdesur të fshehë fytyrën, dyshohet se e ka mbajtur në vëzhgim Papën për disa orë, deri në momentin që ka vepruar.
Burime nga grupi hetimor i thanë Tv Klan se 49-vjeçari Edmond Papa, pasi kishte mbërritur nga Saranda, gjatë pasdites ka pasur disa hyrje-dalje nga banesa e tij. Për herë të fundit ai është futur rreth orës 15:00 dhe një orë më pas, ka dalë sërish për të hyrë në lokalin aty pranë.
Autori, i cili dyshohet se ka qenë në dijeni edhe të lëvizjeve të tij të mëparshme, ka pritur disa minuta nga moment që Papa ka hyrë në lokal dhe më pas është afruar dhe ka hapur zjarr.
Pasi ka qëlluar për të pakën 7 herë objektivin, autori është larguar në këmbë me shpejtësi siç duket edhe në këtë skemë grafike të ndërtuar nga Tv Klan.
Grupi hetimit është duke ndjekur itinerarin e autorit edhe para ngjarjes për të kuptuar se ku ka nisur ndjekja, teksa pistat e hetimit mbeten konfliktet në Sarandë dhe e shkuara e tij e lidhur me narkotiket në shtetin grek./Tv Klan