Ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi flet për dy vrasje të bujshme të ndodhura në vitin 1997 dhe 1998, kohë kur ka qenë në krye të Inteligjencës Shqiptare. Ai ka komentuar akuzat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili akuzoi ish-kryeministrin Berisha se më 30 korrik 1997 urdhëroi vrasjen e gazetarit Ali Uka, sepse ishte në dijeni të takimeve të tij me Millosheviçin, Gligorovin dhe Arkanin. Për ish-kreun e SHIK, deklarata e Thaçit është shumë e fortë dhe beson se akuzat kanë argumente.
“Për vrasjen dijeni konkret nuk kam po dua ti besoj Thaçit, kjo deklaratë është shumë e fortë dhe jam i sigurt që nuk e thotë kot. Pavarësisht se thuhet në një periudhë konflikti midis dy njerëzve por deklarata është shumë e fortë. Unë besoj që Thaçi ka argumente në favor të kësaj teze që ka shtruar”, ka thënë Klosi.
I pyetur për akuzat që ish-kryedemokrati, Sali Berisha ka bërë për Klosin si organizator i vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, ish kreu i SHIK i hedh poshtë dhe thekson se janë bërë të gjitha hetimet dhe nuk është gjetur asnjë lidhje, ndërsa Berishën e cilëson mjeshtër të mashtrimeve.
“Është e 100 herë dhe është bërë qesharake, kam qenë në shërbim në atë kohë, një ngjarje e rëndë. Jemi interesuar dhe hetuar për këtë çështje nuk ishte punë e kollajshme, meqenëse problem nuk ishte vetëm brenda Shqipërisë dhe në atë kohë Shqipëria ishte mbushur me lloj njerëzish, që pretendonin të ndihmonin, të pengonin Kosovën ne nuk arritën ndonjë përfundim të saktë. Gjithçka që ne hetuam ja dërguam organit të prokurorisë por nga Berisha kam dëgjuar shumë gjëra. Berisha ka folur 3 orë në komision parlamentar për mua dhe është mjeshtër I mashtrimeve, sajimeve. I përdorur për një strategji që ka menduar. Më vjen keq që këto përdoren prapë përpara fushatës zgjedhore dhe them se nuk janë të palidhura me atë që thotë se atë ditë do të bëhet luftë, zjarr kam frikë se ai po e përgatit terrenin.”
Sa i përket vrasjes së ish-liderit demokrat Azem Hajdari dhe rigjykimit të Izet haxhisë, Klosi shprehet se gjithçka ka ditur e ka thënë në Prokurori, por nëse do të kërkohet sërish dëshmia e tij, është i gatshëm.
“Do rishikohet pozicioni i tij që është dënuar shumë. Sa gjykata do ta shohë ta rihapë procesin Hajdari është problem i gjykatës. Gjithçka kam patur dijeni për atë ditë çdo shkresë ka patur firmën time është pronë e SHIK-ut dhe ndodhet në organin e Prokurorisë. Nëse më thërresin dëshmitarë do të them gjithçka kam shkruar në letrat që ndodhen në Prokurori,” tha Klosi për Report Tv.
Fatos Klosi ka qenë drejtues i SHIK për rreth 5 vite nga viti i mbrapshtë 1997 deri në vitin 2002. Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur edhe ngjarjet e rënda si vrasja e Azem Hajdarit, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ku është akuzuar SHIK në atë kohë i drejtuar nga Klosi, si dhe gazetari Ali Uka.