Griselda Gjikolaj, vetëm 17 vjeç, mbeti e vrarë mbrëmjen e djeshme gjatë një atentati në Laprakë, ndërsa ndodhej në makinë me të dashurin e saj Erion Bengo, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
17-vjeçarja nuk mundi t’i shpëtonte dot plumbave që mori në kokë dhe humbi jetën menjëherë sapo mbërriti në spital.
Por në familjen Gjikolaj, tragjeditë paskan ndjekur njëra – tjetrën! Familjarët ende nuk kishin mbyllur dot plagën e humbjes së babait të familjes, i cili kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë.
Sakaq, vëllai i viktimës, përmes një reagimi në “Instagram”, përlot me shkrimin dedikuar motrës së tij.
“Nuk prisja që të kisha një humbje tjetër aq të thellë. Mendova se do kalonim një jetë plot gëzime dhe tani m’le vetëm disa kujtime që më marrin frymën dalë ngadalë. Ishe botë me vete për mu dhe do mbetesh plagë në zemër përjetë. U prefsh në paqe dashuria ime, motra ime. Të du pafundësisht.R.I.P”, shkruan i vëllai i 17-vjeçares.
Si ndodhi ngjarja?
Arsyeja e atentatit me armë që ndodhi pasditen e së mërkurës, mësohet se ishte një konflikt me autorët një javë më parë. Sipas “Report Tv”, dyshohet se autorët kanë ngacmuar të miturën.
Ndërsa dje Benga në shoqërinë e dy vajzave, mes tyre edhe viktima kanë qenë në ambientet e një lokali te blloku “Gintash”, kur kanë hasur edhe dy të rinjtë e tjerë me të cilët ishte në konflikt. Pikërisht dy autorët dyshohet se kanë ngacmuar vajzat në tavolinën e Bengës çka ka acaruar tonet mes të rinjve të cilët edhe kanë debatuar me njëri-tjetrin.
Erion Benga largohet më pas nga lokali i shoqëruar nga të dyja vajzat dhe menjëherë pas tyre kanë dalë edhe dy autorët duke i ndjekur nga pas. Benga dhe dy vajzat kanë ecur në drejtim të një rrugice të errët nga ku më pas kanë tentuar të largohen me një automjet tip “Benz E Class”, kur mbi ta është hapur zjarr nga një armë pistoletë. Griselda Gjikolaj mori një plumb në kokë dhe humbi jetën, ndërsa Erion Benga është i plagosur në gjendje të rëndë.
Autori mësohet se është 19-vjeçari me origjinë nga Puka, ndërsa policia ka ushtruar kontrolle në banesën e të dyshuarit.
Në drejtim të automjetit mësohet se është qëlluar katër herë, ndërsa autorët duke përfituar edhe nga errësira, janë larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët.