Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen e pengmarrjes dhe vrasjes së Jani Prengës, ngjarje e ndodhur në 17 janar të vitit 2020.
SPAK ka ngritur akuza ndaj 7 personave për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa ka kërkuar pushimin e akuzës për 5 të tjerë.
Të pandehur janë Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini të akuzuar për disa vepra penale.
Ndërkohë prokuroria bën me dije se ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.
SPAK ka zbardhur dhe shkakun për rrëmbimin e Jani Prengës, duke bërë me dije se gjithçka është urdhëruar nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj).
“Të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar”, sqaron SPAK.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur gati dy vite më parë, trupi i Jan Prengës ende nuk është gjetur nga autoritetet.