Aktualitet “Vetting” edhe për noterët, Manja: Përjashtohen ata që kanë lidhje me krimin

“Vetting” edhe për noterët, Manja: Përjashtohen ata që kanë lidhje me krimin

Përveç gjyqtarëve e prokurorëve, tashmë Vettingut do t’i nënshtrohen edhe noterët. Ky është projektligji që ka miratuar sot qeveria shqiptare dhe që do të duhet të miratohet në Parlament.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, ka bërë të ditur se personat të cilët kanë lidhje apo kontakte me botën e krimit nuk do të lejohen që të ushtrojnë profesionin e noterit. Po kështu, pjesë e këtyre kontrolleve që do të bëhen nga Ministria e Drejtësisë do të jenë edhe noterët që janë pjesë e sistemit.

“Ky pr/ligj ka për qëllim forcimin e integritetit të profesionit të noterit dhe që lidhet me besueshmërinë e publikut te ky shërbim. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve përcaktohen kritere të reja për futjen në profesionin e noterit, dhe që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar ose persona të dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda dhe këtyre kritereve të reja do t’i nënshtrohen edhe noterët që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial nëpërmjet inspektimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.