Aktualitet Vrasja e Jurgen Dukës, arrestohet shoku i viktimës. Efektivi i policisë ende...

Vrasja e Jurgen Dukës, arrestohet shoku i viktimës. Efektivi i policisë ende në kërkim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 36-vjeçar, cili ka qenë prezent në momentin e vrasjes së Jurgen Dukës.

Sipas policisë, në pranga ka rënë 36-vjeçari Orgest Drazhi, i cili ishte shok me viktimën dhe nuk ka kallëzuar krimin. Ndërkohë vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të policit Arbër Sula, i cili është autori i krimit.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Irfan Tomini”, duke qenë prezent në konfliktin e çastit ku humbi jetën shtetasi J. D., nuk ka kallëzuar krimin. Ndërkohë nga shërbimet e Policisë, vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të krimit, shtetasit A. S”, njofton policia.

Jurgen Duka u vra pak pas mesnatës të së hënës një një market në Tiranë. Duka ishte së bashku me disa shok në një market në rrugën ‘Ifran Tomini’ dhe pasi kishte blerë disa produkte shkoi në kasë për t’i paguar. Aty është konfliktuar me policin Arbër Sula, për radhën e pagesës.

Pasi janë shtyrë me njëri-tjetrin, Duka e ka qëlluar me grusht efektivin e policisë dhe ai i është përgjigjur me armë, duke e plagosur rëndë dhe pak minuta më pas ai ndërroi jetë. E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e marketit.