Bota 800 mijë vdekje nga fillimi i pandemisë në SHBA, shifra më e...

800 mijë vdekje nga fillimi i pandemisë në SHBA, shifra më e lartë në botë

Më shumë se 800 mijë amerikanë vdiqën në SHBA si pasojë e koronavirusit që nga fillimi i pandemisë, tregojnë rezultatet e Institutit Johns Hopkins.

Të dhënat u publikuan në kohën kur në SHBA u konfirmuan 50 milionë raste me COVID-19. Shumica e të vdekurve ishin qytetarë të pavaksinuar dhe të moshuar, derisa raportohet se më shumë amerikanë vdiqën përgjatë vitit 2021 sesa në 2020.

Rreth 450 mijë raste të vdekjeve ndodhën në vitin 2021, pavarësisht faktit që vaksinat kundër koronavirusit u miratuan qysh në dhjetor, 2020.

Mesatarja ditore e të vdekurve në SHBA është 1,150 persona, tregojnë të dhënat e Qendrës për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (CDC). 100 mijë të vdekur raportohet se ndodhën në 11 javët e shkuara.

Përndryshe, kaluan më shumë se 650 ditë që nga koha kur pacienti i parë në SHBA ka vdekur nga COVID-19, rast i raportuar në Siatëll.

Totali i 800 mijë të vdekurve paraqet shifër më të lartë sesa popullsia e qyteteve si Boston.

Shteti tjetër me shifrën më të lartë të të vdekurve është Brazili me më shumë se 616 mijë të vdekur dhe India me mbi 475 mijë të vdekur. Sa i përket numrit të të vdekurve për kokë banori, SHBA-ja renditet e njëzeta, thonë nga Instituti Johns Hopkins.

Numri i të vdekurve në SHBA, kishte rënë dukshëm pranverën e shkuar kur vaksinat ishin të qasshme për të gjithë por u rrit sërish përgjatë verës kur vendi ballafaqohej me variantin e Delta.