Personi që shfaqet në këto pamje dyshohet të jetë ish-oficeri i forcave speciale greke, Efthimios Efthimiu. Ai u fokusua nga kamerat e sigurisë së bizneseve në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në orën 19.26 të mbrëmjes së 29 janarit 2018, pak minuta pasi ekzekutoi Devi Kasmin, krim të cilin dyshohet se e kreu me pagesë. News24 siguroi pamjet filmike, të cilat do të përdoren në gjykatë si provë kundër Efthimiut dhe personave të tjerë të dyshuar për vrasjen.
Aty shihet qartë se në rrugën Kongresi i Manastirit, mbërrin një furgon i bardhë, i mbyllur në pjesën e pasme. Mjeti qëndron në pritje, pak sekonda. Bën disa lëvizje para mbrapa. Aty vjen me hap normal, një person që mban veshur një xhup të bardhë dhe kapuç në kokë. Fytyrën e ka të zbuluar. Ngjitet në vendin e parë, dhe furgoni largohet.
Referuar dosjes hetimore, rezulton se shtetasi grek ka hyrë në rrugën “Petro Cani “, pranë Pediatrisë, rreth orës 18.30. Sipas prokurorisë, ai e priti disa kohë viktimën e tij dhe menjëherë sapo Kasmi mbërriti poshtë pallatit te tij e qëlloi me katër plumba.
Pas krimit ish-speciali grek, zgjedh të largohet nga një tjetër rrugicë, duke dalë sërish në rrugën “Kongresi i Manastirit”, siç dallohet në pamjet filmike. Në dosje thuhet se furgoni që drejtohet nga i pandehuri Malvin Dinellari, vijon rrugën duke dalë në zonën e “Brrylit” dhe merr drejtimin për nga “Pallati me Shigjeta”.
Një kamera sigurie e vendosur tek kryqëzimi i drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka fiksuar targën e automjetit, AA 231 JH. Prokuroria mundi të zbulojë se furgoni ishte blerë 12 ditë përpara ngjarjes, nga pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxhallari që është në arrati. Disa ditë pas krimit, po i njëjti furgon u gjet në shtëpinë e Hoxhallarit në zonën e Kasharit, aty ku dhe u zbulua një arsenal i madh armësh.
Tashmë një vit pas krimit që tronditi Tiranën, prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimet dhe dorëzoi dosjen në gjykatë. listën e të pandehurve e kryeson shtetasi grek, pasi akuzohet si ekzekutor, ndërsa grupin kriminal që porositi dhe pagoi vrasjen dyshohet se e drejtonte Aurel Hoxhallari. Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e vrasjes me paramendim kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.