Gjykata e Lartë ka konfirmuar vendimin gjyqësor që urdhëroi kthimin në qeli të Genc Tafilit, të shpallurit fajtor për vrasjen e kryekomisarit Arben Zylyftari në vitin 2000 në Shkodër.
I dënuari Genc Tafili shijoi lirinë kur kishte kryer vetëm 17 vite nga dënimi i marrë. Ai u lirua me kusht në vitin 2017 përmes një vendimi të firmosur nga ish-gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e njëjta që u dënua për “korrupsion” në vitin 2022 nga Gjykata e Posaçme për lirimet e parakohshme abuzive.
Ky verdikt u rrëzua nga Apeli i Tiranës në 17 maj 2021. Tafili e kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin që e rikthente në burg, por një Kolegj Penal vendosi të lërë në fuqi vendimin e Apelit.
Vendimi i Apelit, që rikthente në qeli Tafilin, e gjeti atë jashtë vendit. Në zbatim të këtij urdhri gjyqësor, ai u arrestua në Gjermani në dhjetor të vitit 2021 në aeroportin e Frankfurtit, 8 muaj pasi u shpall në kërkim, teksa po tentonte të udhëtonte drejt Stambollit. Tafili u ekstradua në Shqipëri 5 muaj më vonë, për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit.
Çfarë ka thënë Genc Tafili për vrasjen e Arben Zylyftarit
Ai ka kërkuar të rinisin hetimet nga e para në lidhje me ngjarjen e 2 gushtit të vitit 2000 dhe të zbardhet e vërteta për vrasjen e Arben Zylyftarit. “Shteti asnjëherë nuk u mundua të zbardhte ngjarjen që na shkatërroi. Si u vra Zylyftari? Pse u soll ai në operacionin për kapjen e babait tim kur ky lëvizte çdo ditë nëpër qytet, në peshkim ku kishte biznesin dhe mund të kapej kurdo?”
Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000, kur Policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit, babait të Genc Tafilit, që ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë.