Bota Papa: Kam firmosur dorëheqjen në rast problemi shëndetësor

Papa: Kam firmosur dorëheqjen në rast problemi shëndetësor

“Unë e kam firmosur dorëheqjen, kur Tarcisio Bertone ishte Sekretar i Shtetit. E firmosa dhe i thashë: ‘Në rast pengese për arsye mjekësore apo diçka tjetër, ja dorëheqja ime. Tashmë e ke në dorë’. Nuk e di kujt ia ka dhënë kardinali Bertone, por ia kam dhënë kur ishte sekretar i shtetit.”

Në një intervistë për gazetën spanjolle “ABC”, Papa Françesku rrëfen si e ka planifikuar tërheqjen në rast pamundësie shëndetësore.

Në intervistë, versioni i plotë i së cilës u publikua mëngjesin e sotëm, Papa i përgjigjet kështu pyetjes se çfarë ndodh nëse një Papë befas bëhet i paaftë për të shërbyer për shkak të problemeve shëndetësore ose në rast aksidenti.

Pyetjes së mëvonshme për faktin se edhe Pali VI e ka lënë me shkrim dorëheqjen në rast pengese të përhershme, ai përgjigjet: “Pikërisht, dhe mendoj edhe Piu XII”. “Është hera e parë që e them”, shton Françesku për dorëheqjen e tij tashmë të nënshkruar. “Prandaj e them. Tani dikush do të shkojë dhe do t’i kërkojë Bertones: “Ma jep atë letër!” (qesh). Me siguri ia ka dhënë kardinalit Pietro Parolin, sekretarit të ri të shtetit. Unë ia kam dhënë Bertones si sekretar shteti”, përfundon Papa.