Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Në një konferencë për mediat, Meta tha se ngjarja e djeshme në Elbasan nuk do të kishte ndodhur nëse do të reagohej siç duhej për plagosjen që ndodhi në zyrën elektorale të PD në Kavajë.
Më tej i bëri thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut, që të marrë seriozisht këtë situatë dhe i tha se nuk e mbron dot Edi Rama.
“Nëse do kishin reaguar pas plagosjes në Kavajë, nuk do të kishte ndodhur as vrasja dje në Elbasan. I bëj thirrje Ardi Veliut ta marrë seriozisht këtë situatë. Nuk të mbron dot Rama ty, Edi Rama nuk mbron dot veten. Rama do të mbrohet me rrethanë lehtësuese me kartelën. Do ketë ligj special për çdo njeri që përfshihet në krime zgjedhore, nuk do puthen dot më me administratë zgjedhore. Sot dhe nesër do t’i çoj letrat policisë për Durrësin e për Vlorën, për Elbasanin“, tha Presidenti.