Nikoll Sherrniku, i dyshuar si përfshirë në vrasjen e efektivit të FNSH, Xhulio Prela, është lënë në burg nga Gjykata e Lezhës. 26-vjeçari ka mohuar përfshirjen në krim para gjykatës. Nëpërmjet avokatit të tij, ai u shpreh se ditën kur u vra polici ka qenë në banesën e tij.
“Atë ditë kam festuar ditëlindjen dhe kam qenë në shtëpi. Akuzat nuk janë të vërteta dhe nuk ka prova ndaj meje”, është shprehur Sherrniku.
Por sipas prokurorisë, 26-vjeçari i lënë në qeli, ka qenë në vendin e ngjarjes së bashku me Brilant Martinajn, i shpallur në kërkim nga policia.
Hetuesit thonë se ka prova që makina që ndaloi Xhulio Prelën ishte blerë nga Nikoll Sherrniku.
Shkak i vrasjes që ndodhi mëngjesin e 5 dhjetorit, dyshohet se ishte një konflikt për dritat e gjata që po përdornin makinat.