Arrestohet në Belgjikë Leonard Duka, 37 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në Gusht 2019 në kryeqytet në rrugën “Xhanfize Keko”.
Leonard Duka njihet edhe si koka e “klani Duka”, grupi kundërshtar i Ervis Martinaj.
Leonard Duka është arrestuar në një provincë të Brukselit, në një operacion të përbashkët mes Fast Albania dhe zyrës së Interpolit në Bruksel.
Duka rezulton një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.
Ai akuzohet për përfshirje në vrasjen e Santiago Malkos, një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinaj.
Në kërkim për këtë ngjarje të rëndë vijon të jetë vëllai i tij Erlis Duka.
“Në vijim të punës për grumbullimin e informacioneve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albania, për vendndodhjen e një të shumëkërkuari që fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit, menjëherë kanë shkëmbyer informacion me Fast Belgjikën, të cilët në kuadër të operacionit policor të koduar “Provinca“, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin e shumëkërkuar L. D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së shtetasit S. M., të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Leonard Dukës i është dhënë nga GJKKO masa e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Interpol Tirana po vijon punën me homologët për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.