Kanë kaluar rreth 5 muaj nga vrasja e studentes Eleni Topaloudi në ishullin Rodos të Greqisë. Shqiptari i përfshirë në këtë krim, ka folur nga qelia e burgut të Grevenas për televizionin “Star”. Gjatë bisedës me gazetarët, 20-vjeçari shqiptar ka thënë se e di shumë mirë që bashkëpunëtori i tij grek Manolis Koukouras e akuzon për vrasjen e studentes dhe heq nga vetja peshën e përgjegjësisë.
“Nuk më intereson se çfarë thotë greku. Unë kam avokat”, është shprehur Aleksandër Luca.
Pas deklaratës së tij, ka reaguar edhe babai i studentes së ndjerë.
“E vërteta për ne është e qartë. Të dy bënë atë që bënë. Nëse duan, të tregojnë kush nga të dy e goditi, kush e qëlloi me thikë, kush nga të dy e hodhi në det”, është shprehur Gianis Topaloudis.
Ka qenë data 28 Nëntor 2018 kur studentja 21-vjeçare Eleni Topaloudi u vra dhe trupi i saj u hodh në det. Ajo ka qenë me të dy djemtë në banesë dhe u dhunua e abuzua seksualisht. 21-vjeçarja ishte ende gjallë kur dy të rinjtë vendosën t’i lidhnin këmbët me litar dhe trupin e saj ta hidhnin në det.
Shqiptari Aleksandër Luca dhe bashkëpunëtori i tij grek Manolis Koukouras akuzojnë njëri-tjetrin si personin që mori vendimin për ta hedhur studenten në det. Ata ndodhen në të njëjtin burg, por nuk komunikojnë mes tyre.