Politika Vrasja e tri grave/ Presidenti Begaj: Organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën...

Vrasja e tri grave/ Presidenti Begaj: Organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar ngjarjet e rënda të ditës së sotme ku u vranë 3 gra dhe u plagosën 3 gra të tjera nga Dan Hutra.

Presidenti Begaj thotë se fenomenet e dhunës ekstreme dhe dhuna ndaj grave nuk duhet të jenë pjesë e shoqërisë shqiptare.

Kreu i shtetit kërkon nga organet ligjzbatuese që të veprojnë me të gjithë forcën e ligjit.

“Lajmet makabre të ditës së sotme në Tiranë, ku tre gra janë vrarë e tre të tjera janë plagosur, janë tërësisht të papranueshme! I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave!

Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme.

Dënoj ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje dhe kërkoj që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”, shprehet Presidenti Bajram Begaj.