Aktualitet “Dan Hutra do vriste një person të katërt”, gazetari: Ishte pozicionuar rreth...

“Dan Hutra do vriste një person të katërt”, gazetari: Ishte pozicionuar rreth 200 m larg shtëpisë së objektivit

Vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, por Dan Hutra dyshohet se nuk do ndalej me kaq, nëse nuk do të ishte arrestuar nga policia. Gazetari Spartak Koka, i cili ishte në zonën e Sharrës, aty ku gjatë orëve të pasdites u vu në pranga autori i dyshuar i masakrës së ndodhur këtë të mërkurë në Tiranë, në studion e “Opinion” zbuloi se Hutra ishte pozicionuar në atë vend për të ekzekutuar një tjetër person.

Sipas gazetarit Koka, 40-vjeçari kishte në shënjestër një person të quajtur Rrahman Sela, të cilin e konsideronte përgjegjës për vdekjen e të atit, diçka që nuk ishte e vërtetë. Gazetari Koka tha se ky kishte qenë edhe synimi përse Hutra kishte shkuar në zonën e Sharrës.

Spartak Koka: Ajo që mësuam dhe kemi edhe dëshminë e këtij personi që ka marrë policinë, është se këta nuk e dinin që ishte i armatosur, e ka pasur në tokë (armën) dhe u ka thënë “mund t’ju vras dhe ju tani, por s’po ju vras sepse ju jeni të shtetit dhe nuk kam punë. Duhet të më kishit lënë të kryeja edhe një vrasje”. Ai donte të vriste një person i cili është nga Sharra. Është Rrahman Sela, një personazh i njohur i tij. Ai u ka thënë policëve se ky person është përgjegjës për vdekjen e të atit të tij, që nuk ka lidhje fare me këtë gjë. Pozicionimi i tij në kodër, ai nuk po arrinte dot të dallonte se kush ishte shtëpia e tij, në atë moment, ishte për ta survejuar dhe për t’i vajtur në shtëpi. Pra nga kodra tek shtëpia e Rrahman Selës jemi 200 apo 300 metra larg.

Blendi Fevziu: Pra ishte nisur për të bërë vrasjen e katërt?

Spartak Koka: Synimi ishte që të futej edhe tek shtëpia e Rrahman Selës, që nuk ka lidhje, që nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm me të, por që i ishte fiksuar dhe donte të kryente edhe këtë vrasje. Pra synimi i tij pse ka ardhur në zonën e Sharrës dhe të Vaqarrit, ka qenë vetëm për këtë qëllim. Këtë e konfirmon edhe dëshmitari që përshkruan dhe momentet e arrestimit.

“Pas vrasjeve Dan Hutra u ul në lokal dhe bleu 2 paketa cigare, ujë pa gaz dhe kruasant”

Gazetari Spartak Koka ka zbuluar të tjera detaje rreth Dan Hutrës, 40-vjeçarit që vrau 3 gra dhe plagosi 3 gra të tjera paraditen e së mërkurës.

Koka deklaroi se pas vrasjeve dhe plagosjeve, Dan Hutra kishte shkuar në një lokal në zonën e landfillit të Sharrës.

Aty u ul në një lokal dhe porositi ujë pa gaz, kruasant me çokollatë dhe 2 paketa cigare.

Dan Hutra u identifikua nga dy persona të zonës së Sharrës, të cilët më pas njoftuan policinë.

Spartak Koka: Kanë qenë 2 çuna xhaje me njëri-tjetrin kur konstatuan Dan Hutrën, e njihnin si personazh, e kishin parë dhe foton e tij të publikuar në media dhe tek njëri prej lokaleve përballë landfillit të Sharrës, Dan Hutra i cili kishte parkuar automjetin rreth 1.5 km larg, kishte zbritur në këmbë i paarmatosur dhe ishte futur brenda lokalit dhe bleu 2 paketa “Uinston”, dy molto çokollate dhe një ujë pa gaz. Në këtë moment ata e kanë identifikuar jo vetëm nga fotografia, por njëri prej tyre e ka identifikuar edhe për faktin sepse ai ka qenë banor i zonës së Sharrës para shumë vitesh.

Dan Hutra u arrestua më pas nga policia pikërisht në landfillin e Sharrës pa bërë rezistencë.