Dy persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia janë arrestuar nga policia. Në pranga kanë rënë Besian Xhixha dhe Enver Diva.
Dyshohet se këta persona kanë këqyrur territorin dhe kanë monitoruar lëvizjen e viktimave. SPAK i ka pasur nën vëzhgim dhe kjo është arsyeja që dosja nuk është mbyllur akoma.
Ngjarjet janë zbardhur nga bashkëpunëtori i drejtësisë 22-vjeçari Klevis Alla.
Vëllezërit Haxhiu u vranë më 29 Prill të vitit të kaluar në Durrës. Për vrasjen e tyre kanë rënë në pranga Altin Ndoci dhe Klevis Alla ndërsa është shpallur në kërkim Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Ky i fundit dyshohet se është pikërisht personi që i kishte kontraktuar dy personat e arrestuar këtë të enjte.
Klevis Alla, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka treguar përballë hetuesve se i shumëkërkuari Talo Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të 2020-s.
Sa i përket Nuredin Dumanit, ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve. Prokuroria e Durrësit doli në përfundimin se vrasja ishte kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë e transferoi dosjen në SPAK.
Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë të shpallur në kërkim edhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, ngjarje e ndodhur më 2 Mars 2020, në të njëjtin vend ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia.
Po ashtu, Dumani kërkohet edhe për vrasjen e vëllait të mikut të tij Talo Çela, Bujar Çelën. Ky i fundit u ekzekutua në Shtator të 2020-s, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.