Policia ka dalë me informacione zyrtar pas ngjarjes së rëndë që tronditi Elbasanin këtë të mërkurë. Pjerin Xhuvani ka mbetur i vdekur pas një konflikti me armë që ka ndodhur rreth orës 14:00 në lagjen ‘5 Maji’ të këtij qyteti. Si pasojë e të shtënave janë plagosur 3 persona të tjerë që janë E. P., P. V. dhe E. B.
Por në përpjekje për të parandaluar këtë krim është plagosur edhe punonjësja e Policisë e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, Xhensila Sota, duke e çuar numrin e të plagosurve në 4 gjithsej.
Sota ishte duke kaluar rastësisht në vendin e ngjarjes, kur ka parë në rrugë një sherr dhe ka ndërhyrë, duke u plagosur.
Mësohet se ajo ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se kanë vënë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, i cili është Arbër Paplekaj. Po ashtu është bërë i mundur edhe shoqërimi i disa personave në drejtoritë e policive në Elbasan e Tiranë si të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje.
Policia shprehet se po vijon puna për fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes. Po ashtu uniformat blu thonë se po punojnë për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.