Presidenti Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë shtypi lidhur me ngjarjen tragjike të Elbasanit, duke i kërkuar Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit që ta zbardhin sa më shpejt.
Kreu i shtetit evidentoi gjatë fjalës së tij se Prokuroria dhe Policia po e shtyjnë zbardhjen e vrasjes pas datës së zgjedhjeve.
“Arsyeja pse jam sot këtu është për të dekurajuar çdo lloj krimi zgjedhor, sepse është krimi zgjedhor që prej 4 vitesh mban peng integrimin europian të Shqipërisë. Jam këtu për t’ju drejtuar përfaqësuesve të sistemit gjyqësor si kryetari i shtetit që do të jetë në këtë detyrë edhe të hënën edhe të martën për të garantuar ndërrimin e pushtetit. A ka patur shqetësime Presidenti? Patjetër! A e ka ngritur ndonjëherë zërin Presidenti? Patjetër, dhe do vazhdojë ta ngrejë. Dje kam bërë publike qëndrimin tim si President lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Elbasan ku patëm 1 viktimë dhe disa të plagosur. Edhe pse po mbushen 72 orë ende organi i Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit nuk kanë dhënë një version të plotë. Ngjarja tragjike meriton të zbardhet urgjentisht përpara se të kemi ngjarje të tjera dhe të mos keni ngjarje tjetër, asnjë lloj lëndimi apo fyerje ndaj njëri-tjetrit. Policia dhe Prokuroria duket se janë në një apati dhe nuk veprojnë. Ka vullnet të padukshëm, kriminal për ta shtyrë zbardhjen e kësaj ngjarje pas datës së zgjedhjeve. Provat kanë qenë atje në sy të të gjithëve. Si Presidenti i Republikës jam këtu për të përsëritur pyetjet e mia kundrejt organeve të zbatimit të ligjit. Që sot t’i jepni përgjigje këtyre pyetjeve. Çdo zvarritje, mosveprim frymëzon edhe më shumë elementët kriminal në procesin zgjedhor”.
Kreu i shtetit tregoi edhe arsyet përse sipas tij ka ndodhur përplasja e armatosur me 1 të vrarë dhe 4 të plagosur në Elbasan, dhe për këtë fajëson organet hetuese.
“Në datën 7 Prill, Partia Demokratike përfaqësuar nga Gazment Bardhi përmes shkresës Nr.52 ka paraqitur në SPAK një kallëzim penal kërkesë për hetimin e 40 shtetasve që ishin të angazhuar në favor të partisë në pushtet duke konsumuar vepra penale në mes të Elbasanit. Do të shikoni që janë emrat e atyre që janë përfshirë në ngjarjen e 21 Prillit në Elbasan. Në vend që SPAK të fillonte hetimet për këtë çështje, pas 8 ditësh përmes një shkrese të datës 15 Prill ja ka përcjellë për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit. Ky material duhej hetuar nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Elbasanit. Nëse SPAK do të kishte vepruar në kohë dhe pa asnjë vonesë, këta 40 persona do të ishin në burg por nuk do të kishim asnjë viktimë dhe asnjë të plagosur”.