Në fjalën tij në takimin e sotëm elektoral në kryeqytet kryeministri Edi Rama iu referua ngjarjes së Elbasanit dhe tha se sot kushdo duhet të kuptojnë diferencën mes patronazhistëve të PS dhe militantëve të opozitës. Ai tha se ata kanë një grup të armatosur dhe të shpërndarë kudo dhe u bëri thirrje qytetarëve që më 25 prill të mendojnë për fëmijët e tyre. Rama përdori fjalët ne dhe ata për të bërë diferencën mes PS dhe opozitës dhe theksoi se për ata njerëzit trajtohen të tillë vetëm kur janë në rreshtin e tyre.
“Pas asaj që ndodhi dje në Elbasan unë jam më shumë se kurrë krenar për ju. Ata bënë çmos që t’ju lëndojnë ata bënë çmos që t’ju cenojnë, t’ju dekurajojnë. Ata që bënë këto dolën zhveshur por jo si unë zhveshur, por në gjithë masën e karakterit të tyre, kur pa pasur asnjë pikë turpi pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete. Morën përsipër t’ju thonë shqiptarëve se po, ata e kanë një grup të armatosur dhe të shpërndare kudo dhe besoj që sot kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, mes nesh dhe të gjithë atyre duhet t’i vërë gishtin kokës fort për fëmijët e tij. Të patronazhosh derë më derë e familje më familje të pyesësh si shkoni e çfarë problemesh keni, çfarë mendoni për qeverisjen, çfarë hallesh ju pengojnë ju që të jeni të vendosur për të ardhur dhe mbështetur do të thotë që çdo njeriu t’i japësh vlerën që ka njeri, ndërsa të turresh rrugëve për t’i ndaluar njerëzi sikur je nga ato forcat paramilitare në vendet ku thika e urrejtjes dhe ndasisë është futur deri në kockë që pasi ndalon njerëzit dhe të lësh pas edhe viktima dhe për ty janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde dhe jashtë saj nuk ka vlerë”.
Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të zgjohen dhe të kujtojnë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë ata për 30 vite, duke sjellë në vëmendjen ngjarjen e një dite më parë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Ai kërkoi që të votojnë Partinë Socialiste në 25 prill dhe të çlirohen nga demonët që shfaqen në forma të ndryshme të opozitës.
“Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë të gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të kujtohen se çfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vjetësh po këta dhe në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë e shqiptarët dhe sa herë ka pasur humbje jetësh dhe plagë jo të shkaktuara nga Zoti por robi, ato lodhen me ta dhe sot të jesh i djathtë, apo kundër nesh është më normale, por nëse sot si i djathtë e kundërshtar i yni ia do të mirën asaj force që ende sot e mban demonin brenda duhet ta çlirosh nga demoni duke e braktisur më 25 prill. 25 prilli është një ditë kur Shqipëria të çlirohet nga demoni që shfaqet në forma të ndryshme i detyron të kthehen ne rrethin vicioz, ju humbet shpresën dhe të ardhmen. PS është dera e së ardhmes. Vota më 25 prill ka vetëm një drejtim PS”.