Gazetari Artan Hoxha ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me vrasjen që ndodhi ditën e djeshme në Tropojë ku mbeti i vrarë 47 vjecari Guxim Gjuriqi.
Sipas Hoxhës, vrasja e 47-vjecarit është vazhdën e serisë së vrasjeve që lidhen me historitë e vjetra të fisit të Haklajve
Gazetari Hoxha tha se vëllai i viktimës së mbrëmshme kishte qenë punonjës policie, në zyrën e pasaportave, në kohën kur Fatmir Haklaj ishte shef komisariati në Tropojë:
“Në Tropojë ndaj janë aq shumë të vrarë, sepse pas vitit të parë u zgjeruan aq shumë rrethi i viktimave saqë po vriteshin jo vetëm të afërmit por edhe miq e shokë të cilët mund të ishin ulur rastësisht me ata që ishin përfshirë në këtë histori.
Agroni, vëllai i Guximit, më vonë kur Fatmir Haklaj u bë shef komisariati, ka punuar te pasaportat. Agroni nuk ka qenë i përfshirë tek seriali i vrasjeve në Tropojë. Ka një lokal aty ku ka ndodhur ngjarja, banesa e viktimës së mbrëmshme ndodhet shumë afër ngjarjes. Janë fis i njohur dhe kjo ka bërë që të mos përziheshin. Viktima e mbrëmshme është një njeri që nuk përfshihej. Agroni, i vëllai i tij, krijoi një biznes, ka ndërtuar postën e Bajram Currit, ka ndërtuar vepra arti të vogla, ka patur pastrimin e qytetit deri më tani. Agroni vazhdoi të jetonte si normalisht, jo si pjesa tjetër që fshiheshin. Në një moment kur po goditeshin njerëzit që rrinin afër dhe shoqëroheshin… në këtë kohë një bisedë me Agronin ai thotë:
‘Këtu është bërë e vështirë por të jetuar dhe po shikonte mundësinë për t’u larguar në SHBA. Aktualisht ka familjen atje’.
Pse dyshoj se është në vazhdën e kësaj historie?
Vërtet janë ngjarje që kanë ndodhur në shekullin e kaluar, por pikërisht në datën 5 janar 1998 është vrasja që ka nxjerrë nga shinat Fatmir Haklaj, u vra i vëllai i tij Shkëlqim Haklaj“, tha gazetari Hoxha në studion e Abc News.
“Policia duhet të marrë masat që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë pasi rrezikon që të kthehet në një zinxhir vrasjesh si në 1999-2000.
Nuk mundet që personat që jetojnë atje të mos reagojnë ndaj kësaj vrasjeje pasi vetë vendi, shoqëria, ambienti nuk ua lejon këtë. Prandaj policia duhet të gjejë autorët për të shmangur një seri të re vrasjesh“, vijoi Hoxha në intervistën me gazetarin Endri Xhafo.
“Mesazhi pas ekzekutimit në Tropojë”
Artan Hoxha tha më tej se vrasja në Tropojë ka pas një mesazh. Sipas tij viktima Guxim Gjuriqi ishte një mesazh për të shkuar tek të tjerë.
“Aty kalonte gjithë dynjaja autorët e kanë qëlluar nga makina. Dyshimet janë që kemi të bëjmë me tre autorë. Ai është qëlluar me breshëri, njerëzit që kanë arritur të parët e kanë gjetur të gjallë, por sa ka mbërritur në spital ka humbur jetën. Ka vetëm dy mundësi per tu larguar autoret. Nga Bajram Curri mund të largohesh ose nga Hasi ose nga Fierza, por kjo e dyta është më e gjatë, dhe drejt Hasit është rrugë më e mirë. Mua më duket pak e çuditshme që nuk arrin një drejtori si ajo e Kukësit që të mos bllokojë dy rrugë. Ti ke të gjitha mundësitë që ta bllokosh këtë rrugë. Mënyra si është kryer ngjarja, personazhi që është goditur janë të gjithë elementë që kjo është një vrasje me mesazh brenda, dhe unë këto kam frikë.
Jo unë, por të gjithë qytetarët nga Tropoja që kam folur sot të gjithë më kanë shprehur këtë gjë, frikën që mos fillojë një serial. Ai ka lënë tre fëmijë, vëllai i vet ka tre fëmijë, fisi, ku fillojnë histori të tilla nuk i dihet se si mund të shkojë, sidomos malësia që ka rrethana. Dhe në rastin konkret, për mua viktima e mbrëmshme nuk ka qenë objektivi, ai ka qenë mesazhi për të shkuar tek të tjerët. Ky nuk ruhej, se ata tjerët kanë ikur. Dyshohet se janë vrasës me pagesë. Urdhëruesi nuk jeton në Tropojë”, tha Hoxha.