Sport “Mëkat, e dominuam ndeshjen. Ibrahimovic? Impakt pozitiv, mund të luajë me Piatek”

“Mëkat, e dominuam ndeshjen. Ibrahimovic? Impakt pozitiv, mund të luajë me Piatek”

Stefano Pioli nuk e fsheh mërzinë e tij për barazimin pa gola ndaj Sampdorias. Milani nuk ia doli të gjente golin e fitores dhe trajneri analizon sfidën në prononcimin e dhënë për Sky Sports. Impakti i Ibrahimovic ishte pozitiv dhe Pioli tregon se ku duhen të përmirësohen kuqezinjtë.

NDESHJA – “Donim të fitonim, por nuk ia dolëm dhe kjo është zhgënjyese. E dominuam ndeshjen, luajtëm gjatë gjithë takimit në gjysmëfushën e Sampdorias, por na mungoi kualiteti. Nuk na mungoi dëshira dhe altruizmi, por nuk krijuam situatën e duhur për të shënuar”.

KËRKESA – “Të gjithë lojtarët duhet të jenë më kualitativë. Duhet të tregohemi të saktë, por e përsëris që u futëm në zonën e tyre disa herë. Besoj se kemi mesfushorë me karakteristika të mira. Po kalojmë një moment kur vetëbesimi është i vogël, por Milani ka cilësi. Në pjesën e parë ishim të rregullt, por e humbëm këtë veçori me kalimin e minutave”.

IBRAHIMOVIC – “Impakti i tij ishte pozitiv. I dha prezencë dhe mbështetje skuadrës. Mendoj se skuadra nuk është ende gati të ketë këtë prezencë. Mund të ishim më kërkues në fund të ndeshjes. Duhet të tregoheshim më të kthjellët dhe të kuptonim se po luanim ndryshe me Ibrën dhe Leaon. Ibra bashkë me Piatek? Besoj se mund të bëhet, mjafton të ruajmë ekuilibrat e skuadrës. Të shohim, kemi shumë gjëra për të bërë”.