Briken Sanaj, 39-vjeçari i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Tiranë, kishte qenë në një dasmë në Lezhë. Autorët dyshohet ta kenë ndjekur viktimën deri në zonën e Kodrës së Diellit, aty ku zbrazën breshëri kallashnikovi.
Në vrasje dyshohet se morën pjesë dy persona, ndërsa e gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë në zonë. Megjithatë momentalisht si identiteti i autorëve ashtu sikurse edhe motivet mbeten mister.
Pas vrasjes, makina e autorëve u gjet e djegur në Kashar. Brenda automjetit mësohet se është gjetur një armë kallashnikov. Ndërsa sa i përket targave ato rezultojnë të vjedhura në Tiranë pak ditë më parë.
39-vjeçari jetonte prej një viti te rezidenca e Kodrës së Diellit në Tiranë.
Briken Sanaj njihej nga rojet e rezidencës me identitetin Anton Gjini, por në dokumentet zyrtare emri i tij është Briken Sanaj. 39-vjeçari sapo kishte parkuar makinën në garazh para se të ekzekutohej. Ai u takua me 3 shokë të tij dhe në atë moment u qëllua me kallashnikov nga një distancë e afërt.
Viktima mori 3 plumba në trup, që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Briken Sanaj nuk rezulton person me precedentë penalë, ndërsa në 2012-n vëllai i tij ka plagosur një person në Lezhë.
Megjithatë momentalisht mbetet e paqartë nëse pas këtij atentati qëndron hakmarrja apo konfliktet e mundshme të viktimës.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.